Maqedoni

Marrëveshja, reagimet e ndërkombëtarëve: fitoi Maqedonia, presim implementimin

15.07.2015 16:17

Marrëveshja e arritur nga katër liderët politikë është përshëndetur nga diplomatë dhe zyrtarë ndërkombëtarë të cilët e kanë vlerësuar si marrëveshje triumfale për Maqedoninë...

Ambasadori amerikan, Jess Baily, mes tjerash thotë se pas marrëveshjes së arritur Maqedonia do të lëviz fuqishëm drejt strukturave euroatlantike.
 
“Maqedonia ka fituar. Dua t’i përgëzoj liderët që arritën mbrëmë marrëveshje dhe i vendosën qytetarët përpara interesave të partive politike. Vetë marrëveshja do të thotë shumë punë, megjithatë përmbushja e rregullave të asaj marrëveshje do të thotë se Maqedonia fuqishëm do të lëviz drejt NATO-s dhe BE-së. Ju siguroj se ShBA së bashku me BE-në dhe OSBE-në do të jenë këtu që t’i tejkaloni problemet dhe të hapëroni më tutje”- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Shkup, Jess Baily.
 
Edhe Komisioni Evropian ka përshëndetur marrëveshjen, ndërkaq porosit liderët të implementojnë marrëveshjen me vullnet pozitiv, duke siguruar se BE  është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha palët për të siguruar jetësimin e marrëveshjes, si dhe kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian.
 
“Komisioni Evropian si dhe eurodeputetët, për së afërmi do t’a ndjekin implementimin e marrëveshjes. Për progresin, mes tjerash do të diskutohet edhe në bisedimet e nivelit të lartë, që do të mbahen në shtator, ku do të përfshihen të gjitha partitë si dhe shoqëria civile. Ky është një hap i rëndësishëm për tejkalimin e krizës në adresë të sfidave me të cilat ballafaqohet vendi.  Partitë politike në vend, tani në mënyrë të shpejt duhet të implementojnë marrëveshjen me vullnet të mirë”- thuhet në komunikatën e Komisionit Evropian.
 
Edhe zyrtarë rajonal kanë uruar arritjen e marrëveshjes. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka nënvizuar se është një lajm i mirë që klasa politike në Maqedoni është dakorduar  për të lëvizur drejt demokracisë dhe integrimit evropian. 
 
Edhe ministri i Jashtëm sllovak, Mirosllav Lajcak,  ka thënë se marrëveshja e arritur mbrëmë ka ndezur shpresën e re për Maqedoninë dhe demokracinë e saj.
 
NERMIN MULAKU-FEJZULLAHU