Maqedoni

Marrëveshja e liderëve, analistët: zhbllokimi i procesit politik mori kahjen e duhur

15.07.2015 17:37

Me arritjen e marrëveshjes, katër liderët politik me ndërmjetësim të eurokomesarit Hahn i dhanë kahjen e duhur zhbllokimit të procesit politik

Me arritjen e marrëveshjes, katër liderët politik me ndërmjetësim të eurokomesarit Hahn i dhanë kahjen e duhur zhbllokimit të procesit politik, duke i ikur variantit tjetër, destabilizimit, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike të vendit.
 
Analistët, Xhelal Neziri dhe Albert Musliu, thonë se  marrëveshja do të mundësojë zgjedhje korrekte dhe demokratike, por për t’u arritur caku final, palët do të duhet të kenë qasje pozitive në realizimin e asaj që kanë nënshkruar.
 
“Postet të zëvendësministrave, ose postet e ndryshme ministrore, ose rokada nëpër qeveri që do të ndodhin, unë mendoj se është aspekti formal i zgjidhjes së krizës. Pjesa përmbajtësore e zgjidhjes duhet të jetë sigurimi i një tereni të përshtatshëm, demokratik, të lirë që njerëzit, pra votuesit, lirshëm të shprehin vullnetin e tyre në zgjedhjet e parakohshme, në zgjedhjet e 24 prillit. Mendoj se kjo marrëveshje do të sjellë deri te zgjedhjet korrekte, të lira dhe demokratike, gjë që nuk i kemi pasur në ciklet e fundit zgjedhore. Do të sigurojë një teren më të përshtatshëm, më korrekt në të gjitha aspektet, për të gjitha partitë politike, që të garojnë në zgjedhje, të kërkojnë dhe të fitojnë mbështetje në elektorat”- deklaroi analisti politik, Xhelal Neziri.
 
“Nëse palët hyjnë me vullnet të keq, do të ketë obstruksione dhe ne vetëm që do ta kemi sistemin e bllokuar deri në zgjedhjet e parakohshme, por nëse bllokohet sistemi do të kemi problem edhe gjatë zgjedhjeve. Mendoj se edhe opozita do të ketë rezerva për të marrë pjesë”- tha analisti politik, Albert Musliu.
 
Musliu, ndërkohë, vlerëson se mbrëmë në rezidencën e BE-së u përmbyll marrëveshja e dy qershorit, që përfshin edhe çështje në interes të shqiptarëve.
 
“Me vetë faktin që disa pika që janë me interes të shqiptarëve janë pjesë e Marrëveshjes së dy qershorit, veçanërisht për shpërndarjen adekuate të buxhetit dhe implementim të shpejtuar të pjesëve të Marrëveshjes së Ohrit të cilat nuk janë implementuar si duhet, d.m.th. jo pjesës ligjore, por pjesës së implementimit, mendoj se është pozitive për shqiptarët”- theksoi analisti politik, Albert Musliu.
 
Analistët konsiderojnë se prezenca e faktorit ndërkombëtar për të vëzhguar implementimin e marrëveshjes do të jetë evidente me qëllim që të bëhen ndryshimet e duhura. 
 
MERAL ISMAILI