Maqedoni
Festa e “Fiter Bajramit”, Çairi filloi pastrimin gjeneral të rrugëve
15.07.2015 17:43
Në prag të festës së “Fiter Bajramit”, Komuna e Çairit me ndërmarrjen publike “Higjiena Komunale” kanë ndërmarrë një aksion për pastrimin e Çairit...

Me këtë rast kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, dhe drejtori i “Higjienës komunale”, Rakip Doçi, kanë apeluar që edhe qytetarët t’i bashkëngjiten këtij aksioni, që ka për qëllim krijimin e një ambienti të pastër, sidomos në festa.
“Do të ketë një pastrim gjeneral në të gjitha rrugët dhe rrugicat e Çairit. Dhe unë dua të apeloj deri tek qytetarët, ata të cilët mund të ndihmojnë është mirë që të kyçen në këtë aksion dhe ata të cilët nuk mund të ndihmojnë, ndihma e tyre do jetë e mirë, që gjatë pastrimit të rrugicave, sidomos ato që janë të ngushta, t’i largojnë veturat e tyre, që t’u krijojnë mundësi dhe kushte punëtorëve të “Higjienës komunale”, që pastrimi të bëhet nëpër të gjitha rrugët e Çairit”- deklaroi kryetari i Komunës Çair, Izet Mexhiti.
“Jam i bindur se edhe qytetarët do të japin kontributin e tyre, sepse arritja e një niveli të lartë të higjienës publike është e mundur vetëm nëse të gjithë këto institucione krijojnë një partneritet me çdo individ i cili krijon mbeturina. Nuk mjafton vetëm angazhimi i komunës, e as i qytetit, i ndërmarrjes publike, por nevojitet angazhim edhe i atyre të cilët i prodhojnë mbeturinat”- tha drejtori i Ndërmarrjes Publike “Hixhiena Komunale”, Ragip Doçi.
Njëherit, Komuna e Çairit dhe “Higjiena Komunale” njoftuan se këtyre ditëve janë vendosur 34 kontejnerë në disa lokacione të Çairit.
Kontejnerët e vjetër prej metali janë zëvendësuar me kontejnerë plastikë të cilët janë modernë, ekologjikë dhe i plotësojnë standardet evropiane.
GYLTENE SINANI
