Maqedoni

BDI mirëpret finalizimin e marrëveshjes; RDK: i rëndësishëm është zbatimi i marrëveshjes; “Besa”, skeptike: Maqedonia ka problem sistemor

15.07.2015 17:46

Bashkimi Demokratik për Integrim ka mirëpritur finalizimin e Marrëveshjes së dy qershorit...

BDI shpreh bindjen se me finalizimin e kësaj marrëveshje Maqedonia ka dalë më e fortë, ka rikthyer stabilitetin politik dhe është afruar edhe më pranë NATO-s dhe BE-së.
 
Artan Grubi, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, thotë se negociatat e mbrëmshme i janë referuar vetëm një pike nga Marrëveshja e 2 qershorit, atë të formës së qeverisë që do t’i organizojë zgjedhjet, ndërsa çështjet e tjera janë dakorduar më herët.
 
“Çështjet tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndëretnike, me zbatimin e plotë të MO-së, me marrëdhëniet fqinjësore që përfshijnë edhe marrëdhëniet me Kosovën, me Shqipërinë, me Greqinë dhe Bullgarinë; integrimi në NATO që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së emrit dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE janë pjesë integrale e Marrëveshjes së dy qershorit dhe duhet të zbatohen tashmë nëpërmjet grupeve të punës, të cilët kanë për detyrë që këtë marrëveshje të liderëve ta sjellin në realitet”- tha shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Artan Grubi.
 
Mirëpo, Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se marrëveshja është dakordim vetëm mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe ShBA-së. 
 
“Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se ky vend është dëshmitar i shumë marrëveshjeve, por ajo që është e rëndësishme është implementimi i marrëveshjes së arritur. Implementimi i marrëveshjes do të ketë kuptim vetëm me kthimin maksimal të sundimit të ligjit në vend për t’u marrë me të gjithë aktorët që e kanë sjellë vendin buzë greminës, sepse në të kundërtën arritja e marrëveshjes do të nënkuptojë një lojë tjetër ku fundi nuk do t’i dihet asnjëherë” – thuhet në kumtesën e RDK-së.
 
Ndërkaq, Lëvizja “Besa” dyshon se kjo marrëveshje mund të jetë zgjidhje për Maqedoninë, pasi, sipas saj, Maqedonia ballafaqohet me problem sistemor. 
 
“Në Maqedoni nuk është problem akëcila figurë politike, porse problemi qëndron në vetë sistemin juridiko-politik të shtetit. Derisa në atë marrëveshje nuk thuhet asgjë se do të ndryshojnë mekanizmat e funksionimit të shtetit, veçmas në aspekt të marrëdhënieve ndëretnike, ka pak ose aspak shpresë se kjo krizë nuk do të na përsëritet edhe në të ardhmen”- thuhet në kumtesën e Lëvizjes “Besa”. 
 
PDSH, pjesëmarrëse në bisedime nuk ka komentuar marrëveshjen. Ajo që dihet është se PDSH nuk do të bëhet pjeë e qeverisë kalimtare.
 
SHPËTIM NUREDINI