Ekonomi

Investim amerikan në Zonën Industriale në Kërçovë, priten 1000 punësime të reja

15.07.2015 18:02

Kompania amerikane “Key Safety Sistems” filloi realizimin e projektit investues për ndërtimin e një fabrike në Zonën e Lirë Ekonomike të Kërçovës...

Kjo kompani amerikane merret me prodhimin e airbegëve për industrinë e veturave, të rripave dhe të elektronikës, ka 34 fabrika në 12 vende.
 
Në Maqedoni ka filluar në objektin “Braunfild” në qendër të Kërçovës, ndërsa me investimin fillestar në vlerë prej 20 milionë dollarë e filloi ndërtimin e fabrikës për prodhimin e airbegëve për marka botërore të veturave në zonën e Kërçovës.
 
“9 vjet kanë zgjatur negociatat me këtë kompani dhe tani me kënaqësi të veçantë mund të konstatoj se në Kërçovë, pas një ngecje të gjatë, kemi arritur të sjellim kompaninë me renome botërore, e cila gjatë dy viteve të ardhshme do të punësoj rreth 1.000 persona, gjë që është me rëndësi të veçantë për popullsinë e këtij rajoni”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
“Zona Teknologjike Industriale “Kërçova” dhe investimi i Kompanisë amerikane “Ki Sejfi Sistems” janë edhe një dëshmi se politikat në drejtim të rritjes së investimeve janë të orientuara në mënyrë të drejtë. Vitin e kaluar eksporti vetëm nga zonat e lira ekonomike kishte vlerë rreth 1 miliardë eurosh, që paraqet një rritje prej 54% në krahasim me vitin 2013, ndërsa në pesë muajt e parë të këtij viti vetëm nga zonat e lira ekonomike kemi eksport në vlerë prej 553 milionë eurosh, ndërsa në muajin maj eksporti nga zonat ishte në vlerë prej 120 milionë eurosh”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
“Me krenari mund të them se ne së bashku kemi ndërtuar një biznes që filloi në objektin ekzistues të qytetit të Kërçovës, ku do të funksionojmë deri në ndërtimin e fabrikës. Në tre linjë ekzistuese tani më kemi punësuar 72 persona nga Kërçova, ndërsa vetëm këtë vit në fabrikën e re do të hapen 300 vende të reja të punës”- theksoi drejtori i “Key Safety Sistems” për Maqedoninë, Bogdan Petruta.
 
Paralelisht me ndërtimin e kësaj fabrike përfundon edhe ndërtimi i Zonës Teknologjike Industriale në Kërçovë.
 
Zonën me sipërfaqe prej 3 hektarësh e përbëjnë 9 parcela ndërtimore, prej të cilave 7 janë të dedikuara për veprimtari prodhuese dhe shërbyese, ndërsa do të jetë funksionale deri në fund të muajit tetor.
 
BESIM ABDULLAI