Parlamenti grek miraton paketën e masave, 38 deputetë të “Syrizas” kundër qeverisë

16.07.2015 13:30

Pas katër orësh me 229 vota “pro” nga 299 deputetë të pranishëm, Parlamenti grek miratoi me shumicë votash paketën e masave...

64 prej deputetëve kanë votuar “jo". “Jo” votuan edhe 38 deputetë të partisë “Syriza”, që dolën kundër vijës qeveritare, dhe kjo interpretohet si një problem i madh në mbështetjen e qeverisë së kryeministrit Tsipras.

“Jam e sigurt që marrëveshja duhej të arrihet, sepse nuk kishim rrugë tjetër. Beteja ishte e ashpër dhe nuk kishim unanimitet”- deklaroi Olga Gerovasili nga “Syriza”.

“Ju e keni autorizimin dhe mandatin e duhur nga populli grek për të bërë atë që duhet, që të arrini marrëveshje. Gjejeni vetë zgjidhjen”- tha Vasilis Kegeroglou nga “Pasok”.

“Nuk ka dyshim që ka shumë ankth në të gjitha anët, por kemi edhe vullnet për bashkëpunim”- theksoi Miltiadis Varvitsiotis nga “Demokracia e re”.

Tensionet në sallën e Parlamentit grek me zërat “pro” dhe “kundër” marrëveshjes së arritur me huadhënësit ndërkombëtarë janë reflektuar më së shumti në rrugët dhe sheshin pranë godinës. Qindra qytetarë grekë ishin mbledhur për të protestuar kundër votimit të masave shtrënguese në sheshin "Sintagma". Protestuesit kanë nisur të qëllojnë me gurë dhe molotov në drejtim të forcave të policisë, të vendosura përreth godinës së parlamentit.    

“Shpresoj ta menaxhojnë situatën, masat e ndërmarra janë të rënda, por nuk ka rrugë tjetër”- theksoi një qytetar.

“Ne duam një qeveri të fortë, e cila të implementojë pakon e masave për një të ardhme më të mirë”- theksoi një qytetare.

“Rezultati është ky që është. Më e pakta që mund të bëjë kryeministri është të mos na bankrotojë. Zgjedhje të reja nuk vijnë parasysh”- u shpreh një qytetar.

Megjithëse fitorja në parlament rezultoi një humbje e të tijëve, kryeministri grek, Aleksis Cipras, është fokusuar për të përmbushur marrëveshjen për planin e shpëtimit prej 86 miliardë eurosh, për të cilin u ra dakord me udhëheqësit e Eurozonës.

Çështja e parë dhe më kryesorja është se sa para i duhet Greqisë në afat të shkurtër, ndërkohë që Athina duhet t’i bëjë një pagesë FMN-së, javën e ardhshme. Edhe bordi i Bankës Qendrore Evropiane do të vendosë për nivelin e fondit të emergjencës, që do t’i ofrohet bankave greke, të cilat qëndrojnë të mbyllura prej 29 qershorit.

Rritja e likuiditetit do  t’ju mundësojë bankave që javën e ardhshme t’i rikthehen normalitetit dhe të hapin sportelet për qytetarët. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)