BE-ja do t'i dërgojë Sirisë edhe 64 milionë euro ndihmë humanitare
16.07.2015 14:18
Komisioni Evropian kumtoi sot se do të sigurojë edhe 64 milionë euro ndihmë humanitare për Sirinë...

Mjetet do të shfrytëzohen për sigurimin e medikanteve, ujit dhe ushqimit. Komisioni citon se nevojat mjekësore në Siri janë rritur në muajt e fundit.
Potencohet se një milion sirianë kanë nevojë për pranim në spital. Në të njëjtën kohë, gjysma e mjekëve sirian e kanë braktisur shtetin për shkak të kërcënimeve të përhershme ndaj jetës së tyre. Gjysma e spitaleve në Siri janë rrënuar ose mbyllur.
Mjetet janë pjesë e gjithsej 200 milion eurove ndihmë të parashikuara në buxhetin e BE-së për këtë vit për aksionet humanitare në Siri. Nga fillimi i krizës, BE ka siguruar për Sirinë ndihmë prej pothuajse katër miliardë eurove.
