Manifestimi “Kandilat e Bajramit”, treni i Bajramit paralajmëroi festën e nesërme

16.07.2015 15:45

Treni i Bajramit, i mbushur me fëmijë, qarkulloi sot nëpër rrugët e Komunës së Çairit, duke paralajmëruar kështu festën e madhe islame Fiter Bajramin...

Gjithsesi, fëmijët u shprehën të lumtur që kishin mundësi të shëtisin me tren dhe të paralajmërojnë festën e nesërme.

“Unë dëshiroj shumë shpesh kështu të shëtis”- tha një fëmijë.

“Falënderoj këtë xhaxhin që na ka shëtitur sot”- tha një fëmijë.

“Unë dëshiroj më shpesh të shëtisim kështu”- theksoi një fëmijë.

“Gjithkah jemi shëtitur, më pëlqen shumë”- u shpreh një fëmijë.

Treni i Bajramit ishte pjesë e manifestimit kulturor “Kandilat e Bajramit”, të organizuar nga Shoqata Kulturore “Vizioni M”, në bashkëpunim me Shoqatën Edukative Kulturore “Parimi”. Ky manifestim ka krijuar një traditë disavjeçare, ndërsa organizohet në ditën e fundit të Ramazanit, në shenjë të përcjelljes së muajit të Ramazanit dhe pritjes së festës së Bajramit.

“Edhe këtë vit kemi bërë shëtitjen me trenin e Bajramit, i cili shëtiti nëpër lagjet tona duke paralajmëruar ardhjen e Bajramit. Pas shëtitjes, kemi mbajtur edhe një program të shkurtër artistik këtu në Çarshinë e Shkupit, pjesë e së cilës kanë qenë disa recitale të përgatitura nga fëmijët, si dhe disa valle nga grupi i valltarëve të ‘Emin Durakut’”- deklaroi koordinatori i manifestimit “Kandilat e Bajramit”, Ismail Berisha.

Po ashtu, Shoqata Edukative Kulturore “Parimi” ka organizuar edhe një ekspozitë për bizhuteri dhe art. Ndërsa manifestimi  “Kandilat e Bajramit” përfundoi me shpërndarjen e rreth 500 pakove për fëmijë, të cilat përmbajnë produkte të ndryshme ushqimore. (Gyltene Sinani, TVM2)