VMRO dhe BDI propozojnë ndërprerjen e lustrimit

16.07.2015 16:46

Shumica parlamentare ka marrë nismën që të ndërpresë procesin e lustrimit, i cili konformë ligjit në fuqi duhej të zgjasë deri në vitin 2019...

Ilija Dimovski, Talat Xhaferi, Rafiz Haliti dhe Antonio Milloshovski janë katër deputetët nga shumica parlamentare të cilët propozojnë shfuqizim të Ligjit për caktim të kushtit shtesë për ushtrim të funksionit publik, i njohur si Ligji për Lustrim.

Nisma për ndërprerjen e këtij procesi vjen në kohën kur ekspertët evropianë, në raportin e ashtuquajtur si Raporti i Pribesë, kërkuan reformë rrënjësore në procesin e lustrimit, për shkak të lustrimit selektiv dhe nën ndikim politik.

“Arsyet pse vendosëm të propozojmë një ligj të tillë janë siç vijojnë: fillimisht vlerësojmë se procesi i lustrimit është zbatuar në RM një kohë të gjatë; e dyta, vlerësojmë se në këtë moment ka nevojë për uljen e konfliktit në nivel politik në shoqërinë maqedonase, në drejtim të gjetjes së prioriteteve të përbashkëta dhe hapërimit më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik të RM-së”- deklaroi Ilija Dimosvki nga VMRO-DPMNE.

Procesi i lustrimit edhe ashtu dështoi, thotë deputetja e PLD-së, Roza Topuzova Karevska. Sipas saj, ligji fillestar, i miratuar me konsensus, më vonë u ndryshua nga shumica parlamentare, lustrimi ishte selektiv, ndërsa të ashtuquajturit “kodoshë” vazhdojnë të ushtrojnë poste publike.

“Njerëz të caktuar, dosje të caktuara fshiheshin ose zbrazeshin, dhe spiunët sërish mbetën mes nesh, në kuvend dhe në funksione publike. Disa nga ta janë të paprekshëm. Të paprekshëm nga ’45, të paprekshëm nga ’90, të paprekshëm edhe tani”- tha Roza Topuzova-Karevska nga PLD.

Ndërkaq, Rafiz Haliti, një ndër propozuesit e Ligjit për ndërprerjen e procesit të lustrimit, thotë se procesi do të ishte më i suksesshëm nëse ligji obligonte shërbimet që t’ia dorëzonte Komisionit për Verifikimin e Fakteve listat e bashkëpunëtorëve.

“Të kërkoheshin listat e kodoshëve nga organi përkatës, për shkak se një pjesë e tyre kanë marrë edhe rroga, kanë qenë të paguar, kanë rekrutuar kodoshë të tjerë. Dhe, me zbardhjen e atyre listave kam menduar se do të zbardhen shumë gjëra”- theksoi deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti.

Më propozim-ligjin e ri propozohet që mandati i Komisionit për Verifikimin e Fakteve, për të hap dosje të reja, të përfundojë më një shtator të këtij viti, ndërsa mandati të përfundojë tërësisht pas përfundimit të procesit të ankimimit për dosjet e hapura.

Pas përfundimit të mandatit, dokumentacioni i tërësishëm t’i dorëzohet Arkivit Shtetëror, ndërsa të punësuarit në këtë komisionin të transferohen në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)