Kampi opozitar tërhiqet, përkrahësit e qeverisë vazhdojnë të qëndrojnë në kampe

16.07.2015 16:51

Pas dy muajsh qëndrimi në kamp, para qeverisë kampi opozitar sot vendosi të largohet, duke pastruar vendin dhe paketuar gjërat...

Kampuesit para qeverisë janë të kënaqur nga marrëveshja e arritur mes pushtetit dhe opozitës. 

Në këtë kamp çdo ditë organizoheshin debate dhe ngjarje dhe kishte edhe përkrahje nga lëvizjet qytetare dhe aktivistët për të drejtat e njeriut. Kampistët thonë se qëllimi është arritur, por pas kësaj pason lufta e vërtetë institucionale.

“Ndjenja që po shkojmë në shtëpi nuk është aq e mirë, sepse na është bërë shprehi që të qëndrojmë këtu. Dorëheqja e Gruevskit na gëzoi dhe në zgjedhje mendoj se do të ngadhënjejmë”- tha një kampues.

Nga ana tjetër, përkrahësit e qeverisë vazhdojnë të qëndrojnë në kampin e titulluar “Mbrojtësit e demokracisë karshi Kuvendit”. Sipas tyre, vendimi për largimin nga kampi do ta presin nga udhëheqësia partiake. Deri atëherë do të qëndrojnë në kampe.

“Për gjërat që duhet të realizohen më tej ne japim përkrahjen tonë për projektet, punësimet e të rinjve, për hapjen e zonave ekonomike dhe përderisa ka prosperitet ne si qytetarë do t’ia japim përkrahjen tonë qeverisë dhe kryeministrit Gruevski”- theksoi një kampues.

Kampet para qeverisë dhe kuvendit u hapën  para 2 muajve. Pasi liderët arritën marrëveshje për zgjedhje më 24 prill të 2016-ës, kampuesit e VMRO-së presim vendimin se a duhet tërhequr dhe larguar tendat.

Ndërkohë, komunikacioni në bulevardin “Ilindenska” është normalizuar. (Flutura Latifi, TVM2)