Vajgël-Fleckenstein: Maqedonia tani mund të përparojë me integrimet
Marrëveshja e nënshkruar nga katër liderët politik pas disa muajsh negociatash, vazhdon të cilësohet si një hap shumë i rëndësishëm për Maqedoninë në rrugën e saj të demokracisë dhe integrimit në strukturat euroatlantike...

Raportuesi për Maqedoninë në PE, Ivo Vajgël, i cili edhe ndërmjetësoi bisedimet, ka thënë se me marrëveshjen që u nënshkrua nga ana e liderëve të partive politike Maqedonia tani ka gjasa të mira të përparojë si vend-kandidat për anëtarësim në BE dhe përfundimisht të fillojë negociatat.
“Bashkëpunimi ndërmjet eurokomisionit, europarlamentit dhe Këshillit të Evropës në këtë proces ishte efikas dhe produktiv që nga fillimi. Tani Maqedonia duhet të angazhohet për zbatimin e reformave të cilat priten nga vendi që synon drejt integrimeve euroatlantike”- ka thënë Vajgël.
Ndërkaq, eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein, e ka vlerësuar marrëveshjen si një garanci për ardhmërinë evropiane të vendit.
“Dua ta përgëzoj frymën e kompromisit i cili u dëshmua nga të gjitha anët e përfshira në takimin e fundit të liderëve politik të cilët interesat e Maqedonisë i vendosën para interesave personale dhe ato partiake. Kjo është në frymën evropiane dhe kjo marrëveshje ka një rëndësi thelbësore për përparimin e vendit drejt BE-së”- ka thënë eurodeputeti Fleckenstein.
Edhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Diçiq, si kryesues me OSBE-në, nga Vjena ka thënë se marrëveshja e arritur mes partive politike në Maqedoni do të jetë profitabile për vendin dhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
