Investim i ri në Zonën Industriale të Tetovës, “Lear” do të prodhojë ulëse për vetura
Kompania amerikane “Lear” zyrtarisht hyn në Zonën Industriale të Tetovës. Përfaqësuesit e kësaj kompanie dhe të qeverisë nënshkruan marrëveshjen për investim në Maqedoni...

Në 3 vitet e ardhshme, “Lear” do të ndërtojë objekt me sipërfaqe prej 11 mijë metra katrorë dhe do të prodhojë kryesisht ulëse për vetura. Është paraparë punësim i shumë njerëzve në këtë kompani.
“Bëhet fjalë për një kompani amerikane në industrinë automobilistike dhe është njëra nga 500 kompanitë më të mëdha në botë dhe fati ynë është që ata do të investojnë në Maqedoni, në zonën e Tetovës. Kjo kompani do të investojë diku rreth 15 milion euro në fabrikë të re në Zonën e Lirë të Tetovës dhe do të ketë për fillim rreth 200 punësime, mirëpo në tre vitet e ardhshme pritet të punësohen prej 1500 deri më 2000 persona”- tha drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja, Visar Fida.
Sipas paralajmërimeve ky investim do ta zvogëlojë dukshëm papunësinë në rajonin e Pollogut, duke marrë parasysh se Kompania “Lear” është një nga gjigantët më të mëdhenj botëror në këtë industri.
"Kjo është me shumë rëndësi për rajonin e Pollogut, duke marrë parasysh se në të kaluarën kjo zonë ka qenë e njohur me industrinë e tekstilit dhe se ka pasur shumë njerëz të papunë. Ky investim vërteton punën, përkushtimin dhe përpjekjet tona për të sjellë sa më shumë investime në vend dhe të hapim sa më shumë vende të reja të pune”- tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
“Në fillim kompania jonë do të jetë e vendosur në Gostivar dhe pritjet tona janë se ndërtesa e kompanisë do të jetë e gatshme deri në gjashtë mujorin e parë të vitit 2016. Plani jonë deri në fund të këtij viti është të punësohen prej 150 deri 200 persona, ndërsa deri në fund të 2016-tës të punësohen rreth 800 punëtorë të tjerë. Në biznes-planin e kompanisë është paraparë të punësohen prej 1500 deri më 2000 persona”- theksoi përfaqësuesi i Kompanisë “Lear”, Rafael Galardi.
Kompani amerikane “Lear” në Tetovë investon 15 milion euro. Deri në fund të këtij viti, në zonat industriale të Tetovës në Shkup dhe në Strugë priten të shpallen edhe disa investime të tjera. (Rexhep Qamili, TVM2)
