Tërnava bën thirrje kundër ekstremizmit
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava pas faljes së namazit të Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, i është drejtuar xhematit duke u lutur për paqe, harmoni, respekt e nderime për njëri tjetrin...

Myftiu Tërnava gjithashtu ka rikonfirmuar përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës , kundër çdo terrori me ngjyrime fetare.
“Nuk ka asgjë më me rëndësi në një shoqëri sesa përkushtimi i të gjithëve për siguri, paqe, harmoni, mirëbesim, respekt e nderim ndaj njëri-tjetrit. Nuk guxojmë me asnjë çmim të lejojmë që dikush t’i bëjë keq vendit tonë duke futur pasiguri, mosbesim e vrasje mes nesh. Rikonfirmojmë edhe njëherë që përkushtimi i Bashkësis ë Islame të Kosovës dhe të besimtarëve myslimanë që jemi kundër ekstremizmit të çfarë do ngjyrimi fetar, qoftë kundër terrorizimit në emër të fesë”, tha Tërnava.
Ai ka thënë se ky Bajram vjen pas një sakrifice të madhe, që e kanë bërë të gjithë besimtarët anekënd botës, e që është vetëm për Zotin e madhërishëm. Bashkësia islame në Kosovë ka pritur sot edhe vizita nga personalitete të shumtë të cilët dhanë pikërisht mesazhin e paqes dhe tolerances.
