Maqedoni

Ahmeti: Nga marrëveshja fitojnë të gjithë

17.07.2015 15:42

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive për programin Zigzag të Televizionit Art të Tetovës...

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë ekskluzive për programin Zigzag të Televizionit Art të Tetovës, ka folur për marrëveshjen, me ndërmjetësim ndërkombëtar, të firmosur nga katër liderët e partive politike që pritet ti’i japë fund krizës disa mujore në Maqedoni.  
 
Me këtë rast Ahmeti ka çmuar rolin vendimtar, siç është shprehur, të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Ahmeti vlerëson se me të fitojnë të gjithë: 
 
“Marrëveshja nuk është për të bërë sllogane parazgjedhore. Me këtë marrëveshje kanë fituar shqiptarët, kanë fituar maqedonasit. Jo rastësisht unë e theksova më lartë  se 32 investitorë kanë paralajmëruar para dy muajsh moratorium se do t’i tërhiqnin investimet nga ky vend. Pse a nuk humbin shqiptarët këtu, a nuk është ky edhe interes shqiptar? Përse, a nuk është interes shqiptar zgjidhja e problemeve  me fqinjët dhe vendosja e raporteve me fqinjët? A nuk është në interes të shqiptarëve  vënia në këtë marrëveshje në prioritet e Marrëveshjes së Ohrit dhe ekspertiza e detajuar që duhet t’i bëhet kësaj? A nuk është në interes të shqiptarëve që ky vend të mos humb hapin e duhur drejt integrimit në BE dhe në NATO? A t’i  quajmë ne këto vepra monoetnike , interes i njërës palë apo i të dyja palëve?”-, shprehet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Duke komentuar  kritikat se  përse BDI nuk e  braktisi Qeverinë, kreu i BDI-së tha se  nuk është se nuk është menduar edhe ky skenar.
 
“Këtë të fundit, për dalje nga qeveria, që ka pasur në vete rreziqe të mëdha, ua kam shpalosur edhe aleatëve tanë perendimor. Zgjidhje tjetër nuk do të kishte, nëse nuk do të arrihej kompromisi, sepse isha në vijë të kuqe. Nuk kam dashur të jem pjesë e rrezikimit të tërë proceseve të cilat janë duke u zhvilluar në Republikën e Maqedonisë. Nuk desha të jem pjesë e stagnimit, nuk desha të jem pjesë e dështimit”- shprehet kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Ahmeti shton  se pos kësaj çështjet që lidhen me cilësinë e përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe, por edhe të shpërndarjes së buxhetit po shqyrtohen nga grupet e punës dhe janë pjesë e agjendës së negociatave të Marrëveshjes së dy Qershorit.
 
Lideri i BDI-së është optimist se me gjithë vështirësitë kjo marrëveshje do të vëhet në jetë pasi pas saj qëndrojnë  katër forcat politike më të mëdha në vend, katër kryetarë partish që kanë përgjegjësi morale e kombëtare për ta zbatuar, qëndrojnë lehtësues e garantues të kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Unë jam shumë optimist që kjo marrëveshje do të zbatohet. Jo me lehtësi, do të kete debate, negociata, do të ketë hidhërime, do të ketë hatërmbetje, por kjo marrëveshje duhet të zbatohet në frymë dhe në germë!’- ka deklaruar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, në programin Zigzag të Televizionit Art të Tetovës.
 
ADNAN HAJDARI