Formula 1
Vdes Jules Bianchi
18.07.2015 17:09
Një lajm i trishtë trondit botën e Formula 1 por jo vetëm. Jules Bianchi, piloti francez ndërroi jetë në orët e para të së Shtunes me lajmin e hidhur që e bëri tëditur familja e 25-vjeçarit...

Piloti francez i Marussias ishte në koma që prej 5 tetorit të vitit 2014 kur në çmimin e madh të Japonisë për shkak të reshjeve të shiut ai humbi kontrollin e makinës duke dal nga pista dhe për fatin e tij të keq u përplas me një vinç që po hiqte nga cirkuiti makinën e Adrien Sutil.
Bianchi fillimisht u operua në Japoni pasi kishte pësuar dëmtime serioze në tru duke rënë në koma dhe që prej asaj dite ai nuk e mori më veten.
Familjarët e zhvendosën Jules në Francë, pranë tyre në spitalin e Nicës ku dhe ndërroi jetë. Familja e tij përmes një postimi në rrjetin social të Pilotit njoftoi lajmin e hidhur për tifozët ku mes të tjerash shkruhej “Luftoi deri në fund siç ka bërë gjithmonë, por sot beteja e tij për jetën u mbyll”.
Jules Bianchi lindi në 3 Gusht 1989 në Nice të Francës dhe debutimin në Formula 1 e bëri në vitin 2013 me skuadrën Marussia.
Ai kishte marrë pjesë edhe në garat Renault 3.5, GP2 dhe Formula 3. Fillimisht u bashkua me Ferrarin në vitin 2011 si pilot testues dhe më pas vazhdoi në të njëjtin pozicion te Force India.
Ai është djali i 3 herë kampionit të kategorisë, GT, Mauro Bianchi dhe nipi i fituesit të garës 24 orë të Le Mans, Lucien Bianchi.
Jules konsiderohej si një nga pilotët më të talentuar të Formula 1 dhe gjatë vitit 2014 e ardhmja e tij shihej te Ferrari, por zemra e 25-vjeçarit pushoi së rrahuri pas 9 muajve të gjatë dhe të lodhshëm duke u dorëzuar njëherë e përgjithmonë.