Futboll

Gola e spektakël, PSG mund Benficën në Champions Cup

19.07.2015 14:54

Spektakël dhe gola në sfidën mes Benficës dhe Paris Saint Germain e vlefshme për International Champions Cup...

Në Ontario të Kanadasë formacioni i drejtuar nga Luarent Blanc triumfoi 3-2 me përmbysje ndaj ekipit portugez.

Pavarsisht mungesave të Zlatan Ibrahimovic, Edinson Cavanit, Ezequeil Lavezzit, Thiago SIlvës, David Luiz etj, Parisi tregoi një formë shumë të mirë duke shtangur Benficën që pas largimit të Jorge Jesus për të rivalët e përjetshëm të Sportingut të Lisbonës ka emëruar trajner të ri 45-vjecarin Rui Vitoria.

Në minutën e 29, 18-vjecari Augustin tregoi gjithë talentin e tij teksa me një gjest të lartë teknik shmangu mbrojtësin e Benficës Jardel dhe me një goditje të bukur më pas mposhti edhe Julio Cesarin duke kaluar në avantazh kampionët e Francës.

Por nuk vonoi shumë dhe Talisca vendosi sërish baraspeshën me goditje potente nga distanca që rezultoi e pakapshme për portierin më të ri të Paris Saint Germain-it, Kevin Trapp. Në minutën 42-të Nicolas Gaitan bëri gjithcka mirë duke shmangur edhe portierin për të pasuar më pas te Jonas që me portën e boshatisur realizoi shumë thjeshtë duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me avantazhin e Benficës në shifrat 2-1.

Gjithsesi Parisi arriti të reagonte në fraksionin e dytë, fillimisht me Lucas Mouran nga pika e bardhë e 11-metërshit dhe më pas me Lucas Digne që me një goditje potente mposhti Paulo Lopesin që kishte zënë vendin e Julio Cesar-it duke i dhënë fitoren 3-2 skuadrës së Luarent Blanc.