Sportet E Tjera

Gjetani i “hekurt” mbron titullin ndaj Kanbolatov

19.07.2015 14:58

Gjetan Keta mbrojti me sukses titullin Euroaziatik dhe të Paqësorit në peshën e mesme të versionit WBC...

Gjetan Keta mbrojti me sukses titullin Euroaziatik dhe të Paqësorit në peshën e mesme të versionit WBC duke zhvilluar një ndeshje të jashtëzakonshme në “Gerry Weber Stadion” të Halles, ku fitoi me k.o në raundin e tretë.
 
Një sukses, i arritur ashtu sic i ka hije dhe nofkës së tij, Mike i “Hekurt”, teksa zhvilloi një duel ndaj rusit Kanbolatov, të cilin e dominoi nga fillimi deri në fund duke e rrëzuar plot 6 herë në tapet kundërshtarin e tij, që nuk humbiste prej plot 4 vjetësh në ring.
 
Ashtu siç ka bërë gjithmonë Gjetani u ngjit mbi ring me motive shqiptare, tinguj, që i dhanë frymëzimin e duhur për ta nisur menjëherë në mënyrë agresive ndeshjen, aq sa në raundin e parë e rrëzoi dy herë “knock down” kundërshtarin e tij.
 
Dhe në raundin e dytë Keta, sërish me një seri kombinimesh me të majtën dhe të djathtën nuk e lejoi për asnjë çast kundërshtarin të mbushej me frymë duke mos i lejuar atij të shfrytëzonte dhe ato 10 cenimetra gjatësi në favor. Kanbolatov u rrëzua dhe dy herë të tjera në tapet, por gjithsesi arriti ta mbyllë raundin.
 
Gongu nuk do ta shpëtonte më rusin, pasi në raundin e tretë, Keta e bëri sërish kundërshtarin e tij të ndjente erën e tapetit, përpara se ta rrëzonte përfundimisht për fitoren e tij të 19-të në karrierë, e 16-të me k.o.
 
Stafi i tij e ngriti mbi supe bashkë me Gjerdanin e Artë, Gjetanin, ndërsa vëllai Ismaili, bashkë me fanellën e Autochtonus, i qëndronte në krah i ndërgjegjshëm se për Gjetanin, tashmë mund të ketë ardhur momenti për të kërkuar “ëndrrën” amerikane duke synuar ngjitjen në ringun e më të mëdhenjve të boksit botëror.