Botë

Ukrainë: Akuza të ndërsjella për bombardimet në Donjeck

19.07.2015 18:04

Ushtria ukrainase dhe separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, kanë akuzuar njëri-tjetrin se kanë bombardyar zona të banuara në rajonin e Donjeckut...

Rebelët kanë thënë se bombardimet- sulmet e para këto në qarkun qendror të qytetit që prej arritjes së armëpushimit në muajin shkurt kanë vrarë një civil, kanë shkatërruar ndërtesa dhe kanë krijuar disa vatra zjarri.
 
Por Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Serhiy Galushko ka thënë se ushtria ka përgjuar një bisedë në mes të rebelëve, në të cilën thuhej se ata planifikonin të bombardonin Donjeckun.
 
Komandanti i rebelëve Eduard Basurin i ka hedhur poshtë këto pretendime. Kievi gjithashtu ka njoftuar se një polic është vrarë dhe 7 të tjerë janë plagosur nga sulmet e separatistëve në 24 orët e fundit.
 
Në një zhvillim të ndarë, rebelët thonë se kanë tërhequr armët e rënda nga zonat e konfliktit, duke e respektuar kështu marrëveshjen me Organizatën për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë.
 
Ndërkohë Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka bërë thirrje që forcat ukrainase të “fillojnë të demilitarizohen”, në fshatin juglindor të Shyrokyne-s, i cili është afër qyetit Mariupol.