Ronaldinho prezantohet te Fluminense
Ylli i mirënjohur brazilian, Ronaldinho, tashmë do të luajë për ekipin e Fluminense, e cila po lufton për titullin e kampionit në kampionatin brazilian...

Futbollisti u prezantua përpara 45 mijë tifozëve në “Maracana” me fanellën e skuadrës së tij të re, Fluminense.
Fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2005 u prit nga 45 mijë spektatorë në stadiumin legjendar të Rio de Janeiros, që ishin grumbulluar për t’i uruar mirëseardhjen kampionit të Botës të vitit 2002.
Vetëm pak ditë më parë, presidenti i Vasco De Gamës kishte deklaruar se Ronaldinho do të luante për skuadrën e tij, por 35- vjeçari jo vetëm që nuk firmosi për Vascon por në krahun tjetër arriti marrëveshjen me rivalët e tyre më të urryer të Fluminenses.
Ronaldinho më herët ka luajtur edhe për Gremion, Flamengon dhe Atleticon e Mineiros.
