Shpërthim në Suruç të Turqisë, 27 të vrarë, mbi 100 të lënduar

20.07.2015 13:51

Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në Turqi dhe mbi 100 janë lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombe në një qendër kulturore për të rinj...

Ngjarja ka ndodhur në qytetin jugor Suruç, në kufi me Sirinë, në momentin kur në Qendrën Federata të Socialistëve të Rinj po zhvillohej një aktivitet, e ku të pranishëm ishin rreth 300 vetë.

Sulmi me bombë dyshohet të jetë bërë nga një kamikaz. Suruç është shumë afër me qytetin Kobane të Sirisë dhe ka mirëpritur qindra refugjatë gjatë luftimeve të zhvilluara atje në muajt e fundit.

Kobane është kthyer në një fushë beteje mes militantëve të “Shtetit Islamik” dhe luftëtarëve kurdë që prej shtatorit të vitit të kaluar, kur ISIS pushtoi qytetin, duke detyruar shumicën e banorëve të largoheshin drejt Turqisë.