Botë

Stuhi dhe përmbytje në ShBA, 3 viktima deri tani dhe shumë dëme materiale

20.07.2015 15:37

ShBA-ja është përfshirë nga moti i keq. Stuhitë e njëpasnjëshme në këtë sezon veror kanë sjellë viktima, përmbytje masive dhe dëme të mëdha materiale...

Një grua gjashtë muaj shtatzënë dhe dy fëmijët e saj humbën jetën si pasojë e ujërave të rrëmbyeshëm që përfshinë shtëpinë e saj të lëvizshme në Ohio.
 
Në momentin e përmbytjes brenda në shtëpi ndodheshin të gjashtë anëtarët e familjes, ku babai me dy fëmijët më të mëdhenj arritën të mbijetojnë, teksa djali shtatë vjeçar, vajza 5 vjeç dhe nëna u mbytën brenda në shtëpi. 
 
Ndërkohë, Arizona ka pësuar shumë dëme materiale, teksa banorët kanë nisur të vlerësojnë shkatërrimet. Jugu i Kalifornisë gjithashtu është totalisht nën ujë, shtëpitë në Los Angeles janë të përmbytura dhe rrugët në kaos nga balta dhe shiu. 
 
Në Kaliforni një urë është shembur dhe si pasojë është bllokuar trafiku për në Arizona. 
 
Në San Diego zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës kanë qëndruar në gatishmëri 24 orë pasi reshjet e shiut dhe stuhitë kanë vijuar gjithë kohën me intensitet të lartë. 
 
Sipas zyrtarëve dhe ekspertëve, reshjet e këtij viti janë më të mëdhatë të rëna ndonjëherë në këtë stinë.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU