Maqedoni

Kapërcimi i krizës, anulohet takimi i grupeve të punës

20.07.2015 18:11

Grupi punues së bashku me ekspertin belg, Piter Vanhoute, pas marrëveshjes së 15 korrikut, sot formalisht duhej të fillonte punimet për ndryshimet...

Grupi punues së bashku me ekspertin belg, Piter Vanhoute, pas marrëveshjes së 15 korrikut, sot formalisht duhej të fillonte punimet për ndryshimet në përbërjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe listën zgjedhore.
 
Por, kjo nuk ndodhi për shkak se munguan anëtarët e VMRO-DPMNE-së. Radmilla Sheqerinska nga LSDM për sjelljen e anëtarëve të VMRO-së thotë se nuk është aspak demokratike që marrëveshja të përballet me problem që në fillimet e saj dhe ka akuzuar VMRO-në se kërkon të përfitojë në kohë.
 
“Gjysmë ore para fillimit të mbledhjes morëm informacione se VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në takim. Morëm disa përgjigje kontradiktore, për të cilat nuk mendojmë se janë të arsyeshme. Sot ishte moment kur ata u treguan në vepër për atë që u morëm vesh me evropianët dhe vlerat evropiane”- deklaroi Radmilla Sheqerinska nga LSDM.
 
Sipas marrëveshjes, në tryezë të përbashkët duhet të ulen nga dy anëtarë nga partitë kryesore, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSh për të definuar detajet për reformat që duhet bërë për tejkalimin e krizës politike në bazë të marrëveshjes së arritur ditë më parë nga kryesuesit e partive politike.
 
KShZ u gjet në listën e vërejtjeve të ekspertëve të Brukselit, të udhëhequr nga Reinhard Priebe, ku kërkohet që Këshilli Shtetëror Zgjedhor të jetë i përbërë nga anëtarë jopartiakë, pas së cilës do ndryshojë kodi zgjedhor.
 
Për adresimin e kësaj vërejtje nevojitet që opozita të kthehet në parlament për votimin e ndryshimeve të nevojshme të Kodit Zgjedhor, që është paraparë të ndodhë në shtator,  ndërkaq deri atëherë bisedimet do të fokusohen në pastrimin e listës zgjedhore.  
 
Përndryshe, përbërja e grupit punues që duhet të përgatisë zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit të ardhshëm do të ndryshojë varësisht nga temat që do të diskutohen. Sipas raportit të ekspertit belg, Priebe, për të gjitha këto ndryshime në KShZ dhe Kodin Zgjedhor nevojitet konsensus politik.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU