Turqia ngrit nivelin e sigurisë
Turqia thotë se do të rrisë sigurinë përgjatë kufirit të saj me Sirinë pas sulmit vetëvrasës me bombë, ku u vranë të paktën 30 njerëz dhe u plagosën 100 të tjerë...

Shpërthimi ndodhi të hënën, në qendrën kulturore në qytetin Suruc, ku aktivistët kurdë po mbanin një konferencë për rindërtimin e lagjeve të qytetit sirian Kobani.
Kobani ka qenë qytet ku janë zhvilluar luftime të ashpra në mes të militantëve të “Shtetit Islamik” dhe luftëtarëve kurdë.
Kryeministri, Ahmet Davutoglu, ka thënë se të gjeturat e para sugjerojnë se ky sulm ishte vepër e grupit militant “Shteti Islamik”. Ai tha se Turqia “do të vazhdojë t’i marrë të gjitha masat e nevojshme kundër ‘Shtetit Islamik’”.“Masat në kufirin tonë me Sirinë do të rriten”- shtoi ai.
Në Stamboll, policia ka përdorur gaz dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit kurdë, të cilët kanë fajësuar qeverinë turke për sulmin në Suruc.
