Botë

Zjarre në disa vende të rajonit

21.07.2015 16:36

Edhe disa vende të rajonit ballkanik po përballen me zjarre. Rreth 50 banorë mbrëmë u detyruan t'i braktisin shtëpitë për shkak të zjarrit të madh...

Edhe disa vende të rajonit ballkanik po përballen me zjarre. Rreth 50 banorë mbrëmë u detyruan t'i braktisin shtëpitë për shkak të zjarrit të madh që shpërtheu rreth orës 23 në gadishullin kroat, Peleshac.
 
Zjarri ka përfshirë dy kilometra pyll me pisha të dendura, që edhe përkundër përpjekjeve të ekipit të zjarrfikësve rreth orës tre të mëngjesit, zjarri është afruar deri te shtëpitë në Tërstenik, njoftojnë mediat kroate. 
 
Po ashtu gjendje e rëndë po mbretëron edhe në rajonin e Smokvicës, në ishullin Korçula, ku gjatë fundjavës shpërtheu një zjarr. Atje zjarri ishte lokalizuar, por dje sërish doli jashtë kontrollit.
 
Më kritik është rajoni në Bërno, ku zjarri deri tani ka përfshirë mbi 500 hektarë pyje. Përveç ekipeve të zjarrfikësve, në shuarjen e zjarrit po marrin pjesë edhe avionë special. Po ashtu me zjarre po përballet edhe Bosnja dhe Hercegovina. 
 
Prej mëngjesit të sotëm banorët e vendbanimeve Bosansko Grahovo dhe Bileqa po luftojnë me zjarrin dhe kanë kërkuar edhe ndihmën e ushtrisë së Bosnjës. 
 
Ndërsa edhe Greqia fqinje prej disa ditësh është përballur me zjarre. Një zjarr i madh sot shpërtheu në afërsi të Stamatas, në pjesën lindore të Atikës.
 
Në këtë rajon fryn erë e fuqishme, e cila e vështirëson shuarjen e zjarrit.