Maqedoni

Thaçi për kërkesat e shqiptarëve: asnjëra nga kërkesat nuk do të realizohet

21.07.2015 15:19

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka folur për herë të parë pas nënshkrimit të marrëveshjes së liderëve, që i dha fund krizës politike në vend...

Thaçi nuk është optimist se kërkesat e shqiptarëve do të realizohen ndonjëherë edhe pse, sipas tij, 7 kërkesat e njohura të PDSh-së tashmë u janë dorëzuar edhe anëtarëve të grupeve të punës nga Komisioni Evropian.
 
“Ekziston dokument prej e-mailit të partisë sonë me kërkesat tona që i kemi dërguar tek Komisioni Evropian dhe grupit të punës të udhëhequr nga një zyrtar i lartë i KE-së. Janë 7 kërkesat e njohura. Dua të konstatoj para të gjithë opinionit shqiptar se këto kërkesa nuk do të realizohen asnjëra”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
Thaçi ndërkohë akuzon liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, se harron që 12 vite është partner i koalicionit qeverisës dhe sillet si të jetë ndërmjetës ndërkombëtar. Sipas tij, Ahmeti është përgjegjës për qeverisjen e keqe po aq sa edhe Gruevski. 
 
“Nëse një qeveri e vlerësoni si të kriminalizuar dhe të korruptuar, një qeveri që shkel ligjet dhe të drejtat e njeriut, që dërmon mediat, atëherë s’keni pse të merrni pjesë në të, vetëm duhet të punoni fuqishëm që ta bindni bashkësinë ndërkombëtare të kemi zgjedhje fer dhe demokratike, dhe këtë qeveri ta mundim”- tha Thaçi.
 
Këto komente lideri i PDSh-së i bëri në press-konferencën pas takimit me ambasadoren e OSBE-së në Maqedoni.  
 
VISAR SADIKU