Botë

Greqia, nga sot më e shtrenjtë, rritet TVSh-ja për produktet dhe shërbimet

21.07.2015 17:48

Greqia, prej sot është një vend më i shtrenjtë, pasi hyri në fuqi rritja e taksave. Jeta e përditshme u shtrenjtohet ndjeshëm grekëve...

Mbi ushqimet, si: orizi, makaronat, ëmbëlsirat, sallamet, kafeja, çaji, sheqeri e produkte të tjera kryesore, TVSH-ja do të rritet deri në 23%. Rritje të saj do të ketë edhe për restorantet dhe transportin publik.
 
Ky ishte një nga kushtet e kreditorëve që lejoi hapjen e negociatave për një paketë të tretë ndihmash.
 
 
Shpresat janë që rritja e taksave të mbushë shpejt arkat e shtetit të cilat janë zbrazur pas pagesës së borxhit grek ndaj FMN-së. Thesari pret të mblidhen 54 milionë euro.
 
Fondi Monetar Ndërkombëtar është i kënaqur pasi ka njoftuar se Greqia më në fund ka paguar detyrimet e prapambetura me vlerë prej 2 miliardë euro, duke dalë kështu nga lista e debitorëve të institucionit kreditor ndërkombëtar.
 
Pagesa e borxheve, që duhej shlyer që më 30 qershor, u krye vetëm pak ditë pasi Bashkimi Evropian miratoi kredinë afatshkurtër prej 7 miliardë eurosh, që do të mbante Greqinë në këmbë deri në nënshkrimin zyrtar të programit të ri të shpëtimit.
 
Megjithatë, Komisioni Evropian bëri të ditur gjatë ditës se përfaqësuesit e trojkës–Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar–që në marrëveshjen e fundit etiketohen si “institucionet”, do të mbërrijnë shpejt në Athinë për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e punëve.
 
Parlamenti grek pritet të votojë brenda të mërkurës listën e dytë të zotimeve të marra nga kryeministri Tsipras javën e kaluar në Bruksel, por sipas mediave greke, as këtë herë nuk do të përfshihet në rend të ditës rritja e taksave ndaj fermerëve dhe rritja e moshës së pensionit.
 
Këto dy propozime nuk kanë marrë ende miratimin e Demokracisë së Re, partisë më të madhe opozitare, që deri më tani ka mbështetur marrëveshjen e arritur mes Tsiprasit dhe kreditorëve. 
 
Ndërkaq, të hënën bankat greke u hapën për herë të parë pas tri javësh. Por, mbetet ende në fuqi tërheqja maksimale ditore prej 60 eurosh për individët.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU