Maqedoni
Nesër takimi i parë i grupit punues, LSDM: nuk lejojmë shkeljen e marrëveshjes; analistët: duhet qasje serioze për implementimin e marrëveshjes
21.07.2015 18:09
Nesër pritet të zhvillohet takimi i parë i përfaqësuesve të katër partive për zbatimin e marrëveshjes politike...

Temë diskutimi i grupit punës janë pastrimi i listës zgjedhore dhe ndryshimi i ligjeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Nga ana tjetër takimi i dështuar i grupit punës, që duhej të mbahet dje, është caktuar për javën e ardhshme.
Sipas LSDM-së, pavarësisht tentimeve të VMRO-DPMNE-së, kjo parti nuk do të lejojë shkeljen e marrëveshjes politike.
“Ju siguroj se LSDM-ja nuk do të lejojë asnjë lloj anashkalimi të normave të marrëveshjes politike”- tha zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Duke komentuar dështimin e djeshëm të takimit të grupit punues, analisti politik, Ismet Ramadani, vlerëson se obligimet që dalin nga Marrëveshja e 2 qershorit dhe 15 korrikut medoemos duhet të realizohen.
Ai është i mendimit se liderët politik nuk guxojnë të punojnë kundër zbatimit të marrëveshjes politike, pasi që rrugëdalje tjetër nuk ka.
“Qasja ndaj obligimeve të marra nga Marrëveshja e 15 korrikut dhe dy qershorit duhet të jetë shumë serioze dhe këtu çdo tentim për të eskivuar ose fituar pikë politike për ndonjë të pavërtetë do të shkojë në dëm të procesit dhe do të regjistrohet. E vërteta nga të gjitha këto situata do të regjistrohet dhe jepet në publik nga ndërmjetësuesi i cili do t’i koordinon dhe përcjellë punën e grupeve punuese për çfarëdo problemi ose detyre që duhet të diskutohet midis palëve në këtë rast”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
Që me kohë dhe shpejt të intervenohet në çdo tentim për të penguar zbatimin e marrëveshjes politike, duhet monitorim permantet nga BE-ja dhe SHBA-të, thotë Ramadani.
SANIJE KASAMI
