Maqedoni
Gazetari, Marjan Stamenkovski, është rrahur mbrëmë nga një grup personash
21.07.2015 18:35
Mbrëmë është sulmuar fizikisht gazetari dhe pronari i portalit dokaz.mk, Marjan Stamenkovski...

Siç ka deklaruar vet Stamenkovski, ai është sulmuar derisa po dilte nga një kafene e kryeqytetit nga një grup personash të cilët i kanë thyer krahun dhe i kanë shkaktuar plagë në kokë.
“Pesë hapa larg kafenesë përnjëherë ndjeva goditje në kokë nga ana e djathtë me një shufër metalike dhe nga ana e majtë me shishe të qelqit dhe e humba vetëdijen. Derisa gjendesha në tokë, 4-5 persona më sulmuan nga të gjitha anët me grushte, shkelma dhe me mjete tjera”- tha ai.
Ai sulmin ndaj tij e lidh me shkrimet antiqeveritare që i publikon në portal.
Ndërkohë, policia konfirmon se kanë marrë denoncim për sulmin dhe thonë se janë duke kryer hetime për kapjen e sulmuesve tani për tani të panjohur.
Lidhur me këtë incident kanë reaguar LSDM dhe VMRO, të cilat kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella. Nga LSDM kanë akuzuar VMRO-DPMNE-në si nxitëse të dhunës ndaj gazetarëve në Maqedoni.
Por, sipas kësaj të fundit, LSDM mbron vetëm gazetarët e Sorosit.
