Musa Xhaferi: memorandum me Institutin Evropian për Paqe
Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, ka nënshkruar sot Memorandum mirëkuptimi për përgatitjen e analizës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit...

Zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, ka nënshkruar sot Memorandum mirëkuptimi për përgatitjen e analizës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me Institutin Evropian për Paqe me seli në Bruksel.
Qëllimi i këtij Memorandumi, siç qëndron në kumtesën e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është që t'i mundësojë Qeverisë së Maqedonisë për të përfunduar procesin e shqyrtimit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe të zhvillojnë iniciativa të reja të mundshme të politikave që mbështesin kohezionin social dhe integrimin strukturor të shoqërisë.
“Më këtë memorandum parashihet: përpilimi i një statusi kuantitativ të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit në fushën e arsimit, decentralizimit, antidiskriminimit, përfaqësimit të barabartë për komunitetet më të vogla dhe përdorimin e gjuhëve; Kompletimi i një analize cilësore të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe sfidat në konsultim të gjerë me të gjitha palët e interesuara direkt dhe indirekt në shoqëri, që synon të zhvillojë modalitet të ri implementues dhe iniciativa të politikave në përputhje me frymën e marrëveshjes; Organizimi i një konference ndërkombëtare, ku do diskutohet ajo që u tha më sipër në drejtim të miratimit formal të rekomandimeve në një deklaratë që do t’i bashkëngjitet Raportit Shqyrtues për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, që do të prodhohet dhe konsiderohet nga Qeveria për miratim dhe zbatim të mëvonshëm”- thuhet në Memorandumin për mirëkuptim.
