Kosovarët në Europë pa viza në vitin 2016

22.07.2015 09:39

Ka mbetur edhe një vit nga koha kur kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në shtetet e zonës Schengen, ashtu sikurse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit...

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, duke shtuar se gjatë muajve të verës do të nënshkruhet edhe Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA) mes Kosovës dhe BE-së, nga e cila vendi do të ketë edhe përfitime të shumta ekonomike.

Sipas tij, MSA-ja do të këtë ndikim pozitiv edhe në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte, pasi që, siç thotë ai, investitorët e mëdhenj nuk e trajtojnë njëjtë një vend i cili nuk ka asnjë marrëdhënie me BE-në dhe një vend i cili është duke e zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Duke folur për kthimin e kosovarëve që emigruan ilegalisht në vendet e ndryshme të BE-së, Çollaku ka bërë të ditur se nga 1 janari 2015 deri më tani janë riatdhesuar mbi 11.000 qytetarë.