Greqi, pritet miratimi i pakos së dytë të reformave

22.07.2015 12:28

Parlamenti grek pritet të votojë sot një paketë të dytë reformash strukturore të kërkuara nga huadhënësit europjan për të siguruar mbështetjen e tyre për paketën e re të ndihmës financiare...

Nëse paketa e dytë e reformave do të kalohet nga ana e deputetëve grekë, atëherë Athina mund të nisë negociatat për paketën e 86 miliardë eurove hua nga kreditorët e saj.

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, ka kërkuar votën e deputetëve të tij duke u thënë se grekët kanë varur të gjitha shpresat e tyre në qëndrimin në Eurozonë. Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve që paketa mund të hasë në radhët e vetë deputetëve të Syriza-s, ajo pritet të kalojë me ndihmën e partive opozitare. Por Tsiprasit i nevojitet shmangia e rebelimit në radhët e partisë që drejton. 32 nga 149 deputetët e kësaj partie, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Yanis Varoufakis, votuan kundër paketës së parë të reformave.

“Deri më tani kam parë reagime, kam lexuar e dëgjuar deklarata heroike, por nuk kam dëgjuar asnjë propozim, asnjë alternativë. Syriza duhet të reflektojë shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve që kanë varur shpresat tek ne”, u tha Tsipras mbrëm deputetëve të Syriza-s.

Javën e kaluar u votuan një sërë masash shtrënguese që poashtu ishin kërkuar nga huadhënësit. Shqyrtimi në Parlament i kësaj pakete pritet të shoqërohet me protesta në rrugët e Athinës. Unioni i punonjësve të sektorit publik ka bërë thirrje për t’u mbledhur para godinës së ligjvënësve në orët e mbrëmjes.