Britani, gjenden fragmentet më të hershme të Kuranit
Studiuesit dhe historianët e Universitetit të Birminghamit deklarojnë se kanë gjetur fragmentet më të hershme të njohura deri më tani nga libri i shenjtë i Islamit, Kurani...

Analizat me radiokarbon i dorëshkrimit tregojnë se bëhet fjalë për një dokument mbi 1370-vjeçar.
Dorëshkrimi ka qendruar për më shumë se një shekull në arkivat e Universitetit të Birminghamit së bashku me një koleksion dorëshkrimesh dhe librash nga Lindja e Mesme dhe askush nuk ishte në dijeni të rëndësisë së tij.
Gjithçka nisur kur një studiues dhe njohës i mirë i këtyre dorëshkrimeve kërkoi që t’i bëhej një testim radiokarboni dhe rezultati ishte mbresëlënës. Studiuesve nuk u shkonte ndërmend as në ëndrra që bëhej fjalë për një tekst kaq të lashtë.
Teksti është i shkruar në lëkurën e një delje ose dhie. Metoda e përcaktimit të kohës së shkrimit me radiokarbon siguron një saktësi më të lartë se 95 përqind. Kjo do të thotë që dorëshkrimi i përket një periudhe nga mes viteve 568-645. Të dhënat sugjerojnë që personi që ka shkruar këto dorëshkrime me gjasa ka qenë gjallë në kohën e Profetit Muhamed.
“Dorëshkrimi na çon pas në kohë, në vitet e lindjes së Islamit. Sipas traditës myslimane, Profeti Muhamed mori shpalljet dhe ngriti Kuranin mes vitit 610 dhe 632, viti i vdekjes së tij. Ai që e ka shkruar, mund ta ketë parë, mund të ketë dëgjuar predikimet e tij. Mund ta ketë njohur personalisht” – tha David Thomas, profesor i Krishtërimit dhe Islamit në Universitetin e Birminghamit.
Drejtuesit e Universitetit të Birminghamit thonë se do të vendosin për ekspozim publik fragmentet në fjalë. Sipas studiuesve, Kurani është mbledhur gradualisht dhe i plotë si libër është përfunduar rreth vitit 650. (Ersan Pajaziti, TVM2)
