Temperaturat e larta, rritet numri i atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore, lirohen nga puna shtatzënat dhe të sëmurit kronik

22.07.2015 13:27

Temperaturat e larta në vend kanë ndikuar që në të gjitha qendrat shëndetësore, spitalet dhe klinikat e vendit këto ditë të rritet dukshëm numri i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore emergjente...

Nga Instituti i Shëndetit Publik i këshillojnë qytetarët që t’i shmangen ekspozimit në diell dhe të jenë të kujdesshëm nga rrezatimi prej orës 10:00 deri në orën 16:00, kur edhe ndikimi i rrezeve të diellit është tepër i dëmshëm dhe shumë intensiv, ndërsa prej orës 17:00 deri në orën 19:00 qytetarët më lirshëm mund t’ju ekspozohen rrezeve të diellit pa pasur ndonjë ndërlikim konkret.

“Pacientë më të goditur janë ata me sëmundje kardiovaskulare, me sëmundje të zemrës dhe enëve të gjakut, pacientët me sëmundje kronike në përgjithësi, personat që vuajnë nga sëmundjet neurologjike apo sëmundjet e organeve të frymëmarrjes”- njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ndërkohë, dje u rekomandua lirimi nga obligimet e punës deri të martën për gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronik të moshës mbi 60 vjeç.

Siç njoftoi sot Ministria e Shëndetësisë, në periudhën e njëjtë rekomandohet që punëdhënësit t'i riorganizojnë aktivitetet e punës të punëtorëve në ndërtimtari të cilët punojnë në të hapur, me ç'rast do të evitohet kryerja e aktiviteteve ndërtimore në të hapur në periudhën prej orës 12 deri në orën 17.