River Plate, finalistja e parë e Kupës Libertadores
River Plate është finalistja e parë e Kupës Libertadores. Skuadra argjentinase barazoi 1-1 në transfertë në ndeshjen e kthimit ndaj Guarani në Paraguaj dhe falë fitores 2-0 në sfidën e parë arriti të sigurojë një vend në finalen e kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Amerikën e Jugut...

Atmosfera ishte fantastike në stadiumin “Defensor del Chaco” ku vendasit kërkonin të përmbysnin rezultatin e sfidës së parë dhe pas një sërë rastesh në të 61-tën, vendasit arritën të gjejnë golin e epërsisë me Fernando Fernandez që bëri të shkundet nga entuziami impiantin vendas.
Gjithsesi shpresa e vendasve u shua në minutën e 78-të kur Tabarez Viudez shërbeu një pasim fantastik për Lucas Alarion, që me një parabël arriti të barazojë për ekipin argjentinas. Deri në fund rezultatin nuk ndryshoi më, me Riverin që u rikthye në finale të kompeticionit për herë të parë që prej vitit 1996 dhe tashmë pret emrin e kundërshtarit, që do të dalë nga gjysmëfinalja tjetër mes brazilianëve të Internacionalit dhe meksikanëve të Tigresit.
