Champions Cup: Fitore për Barcën, Man Utd dhe PSG-n

22.07.2015 15:23

Barcelona ka shënuar fitore në ndeshjen e parë parasezonale në kuadër të International Champions Cup, duke e mposhtur Los Angeles Galaxyn, 2-1...

Luis Suarez regjistroi golin e parë të Barcelonës, ndërsa Sergi Roberto ka siguruar fitoren, para se Tommy Meyer të përcaktojë rezultatin përfundimtar, 2-1. Edhepse pa Lionel Messin dhe Neymarin, Barcelona me lojën e vetë mahniti stadiumin Rose Bowl në Pasadena të Kalifornisë, derisa u regjistrua rekordi i shikueshmërisë në një ndeshje futbolli, ku luan një ekip amerikan me mbi 93 mijë shikues në stadium.

Ekipi i Louis Van Gaalit duket të jetë në formë të mirë para stinorit të ri. Manchester United ka mposhtur San Jose Earthquakes, 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në Berkeley të Kalifornisë. Përforcimi i ri i skuadrës Memphis Depay ka realizuar golin e parë personal si lojtar i United, duke vjedhur një top nga mbrojtja kundërshtare, ndërsa dy të tjerët kanë ardhë nga Juan Mata dhe Andreas Pereira.

Nga ndeshja, shenjë e mirë për Depayin, që erdhi për 30 milionë euro nga PSV Eindhoven këtë verë. Luajti prapa Wayne Rooneyt në pozitën e numrit 10.

Emocione dhuroi dhe sfida mes PSG dhe Fiorentinës, që u mbyll me fitoren 4-2 të parizienëve, me Zlatan Ibrahimovic që realizoi golin e 3-të për të tijtë, ndërsa spikati dhe i riu Agustin me një dygolësh.