Temperaturat arrijnë kulmin, i nxehti zbraz rrugët e mbush pishinat

22.07.2015 15:44

Temperaturat iu afruan gradës së 40-të. Edhe pse mjekët rekomandojnë të mos dilet pa nevojë në këto ditë me të nxehtë përvëlues, qytetarët dalin sepse duhet të kryejnë punët e përditshme...

Shumë autobusë të transportit publik janë të klimatizuar dhe kjo në njëfarë mënyre ndihmon gjatë udhëtimit brenda kryeqendrës.

“Dal vetëm kur e kam patjetër”- theksoi një qytetar.

“Udhëtojmë për në punë”- tha një qytetar.

“Shumë rëndë është, nxehtë i madh, por duhet të dalim për nevojat tona”- u shpreh një qytetare.

Më fatlumët këtë mesjavë e kalojnë në pushime verore ose nëpër pishinat e pakta në Shkup.

“Akuaparku” është vend më atraktiv, megjithëse në këtë të nxehtë të gjithëve na mjafton vetëm pak ujë të kemi pranë. Por, edhe përkundër rekomandimeve që punëtorët që punojnë në ambiente të hapura të mos rrinë në diell gjatë të nxehtit të madh, disa njerëz duhet të rrinë në diell patjetër. Këta janë shpëtimtarët e pishinave që sigurohet që të tjerët të kalojnë mirë.

“Ne jemi këtu vetëm për vizitorët. Qëllimi ynë është që ata të ndjehen të sigurt, të lahen të sigurt, e sidomos kur të na shohin të veshur me uniforma të dinë se ne jemi këtu tërë ditën për ta”- deklaroi udhëheqësi i shpëtimtarëve në “Akuark”, Tashko Popovski.

Gjithsesi, nëse nuk mund të vizitoni pishinat ose të shkoni në det, është mirë të shmangni daljen në diell të paktën gjatë orëve të pikut të ditës, ose në të kundërtën mos harroni: shishja e ujit është aksesori i domosdoshëm i verës! (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)