Priten temperatura edhe më të larta, kujdes higjienën e duarve, rrezikoni infektime

22.07.2015 16:07

Kemi hyrë në mesin e javës me temperaturat më përvëluese të kësaj vere dhe parashikimet e sinoptikëve nuk janë aspak optimiste se në ditët në vazhdim do të mund të shpëtojmë sadopak nga i nxehti...

Në hije temperaturat do të vazhdojnë të arrijnë në 38 gradë celsius, askush nuk tregon sa është temperatura në diell. UV indeksi vazhdon të jetë në 9, që do të thotë se është rrezik të dalësh në diell pa mbrojtje. Temperaturat pritet të rriten më shumë gjatë fundjavës.

“Ditëve në vazhdim do të mbretërojë mot me diell, megjithatë në orët e pasdites do të ketë kohë pas kohe vranësira, më saktë në pjesët perëndimore, me shira të pakta. Megjithatë, gjatë ditës do të ketë temperatura të larta, e në veçanti gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme”- deklaroi sinoptikania, Dushanka Tanushevska.

Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se qytetarët duhet të kenë kujdes e t’u përmbahen rekomandimeve të mjekëve, por mbi të gjitha të kenë kujdes në një gjë shumë të thjeshtë, të lajnë duart sa më shpesh të jetë e mundur, pasi higjiena e duarve është elementi kyç në parandalimin e sëmundjeve.

“Së pari janë edhe sëmundjet virusale, pastaj janë edhe paraqitjet tjera që janë pasojë e mbajtjes së higjienës, gjithashtu edhe të ushqimit... Sëmundjet infektive vijnë si pasojë e higjienës së duarve dhe ushqimit dhe nga pirja e ujit. Njerëzit duhet të kenë kujdes çfarë ushqimi konsumojnë dhe çfarë uji pinë. Më i sigurt është uji nga ujësjellësi, ku bëhen kontrolle vazhdimisht”- u tha nga Instituti i Shëndetit Publik.

Sidomos kujdes në ushqim duhet të kenë fëmijë, pleqtë dhe të sëmurët, por në këto ditë të nxehta kujdes duhet të bëjmë të gjithë e t’u shmangemi ushqimeve me shumë yndyrë, që shtojnë rrezikun edhe për sëmundjet kardiovaskulare. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)