Sulmet fizike ndaj gazetarëve, ShGM: Të ndërpritet dhuna dhe zbardhen rastet

22.07.2015 16:18

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon të ndërpritet dhuna ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave, e cila së fundmi eskaloi me sulmin fizik ndaj pronarit të portalit Dokaz...

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, thotë se këto sulme janë të orkestruara me qëllim që të shkaktohet frikë tek gazetarët, për mos e kritikuar pushtetin.

“Për katër vite, Shoqata e Gazetarëve ka regjistruar mbi 20 kërcënime dhe sulme fizike ndaj gazetarëve, prej të cilave gjysma ka ndodhur në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërsa sulmuesit deri tani nuk janë ndëshkuar. Tashmë nuk kemi asnjë dilemë se institucionet po koketojnë me dhunuesit dhe refuzojnë t’i ndëshkojnë edhe pse një pjesë e këtyre sulmeve kanë ndodhur para syve të opinionit”- deklaroi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Sipas Selmanit, pushteti ka për detyrë të sigurojë ambient të sigurt për gazetarët dhe në asnjë rast nuk duhet të tolerojë dhunë ndaj tyre. Ai kërkon nga institucionet që të zbardhin rastet.

“Publikisht ftojmë krerët shtetërorë, kryetarin Ivanov, kryetarin e Kuvendit, Veljanovskin, dhe kryeministrin Gruevski menjëherë të kërkojnë nga institucionet që të ndërprejnë dhunën ndaj gazetarëve dhe sulmuesit të dënohen, në të kundërtën për pasojat eventuale tragjike do të jenë ata fajtorë”- tha Selmani.

Nga ShGM për mosndëshkimin e dhunës ndaj gazetarëve do t’i informojnë Kombet e Bashkuara, Këshillin e Evropës, OSBE-në, BE-në dhe ShBA-të, duke kërkuar monitorim ndërkombëtar mbi procedurat policore dhe gjyqësore që kanë të bëjnë me dhunën ndaj gazetarëve. (Meral Ismaili, TVM2)