Maqedoni

Ali Ahmeti: shumë parti përçajnë votën shqiptare

22.07.2015 17:43

Partitë shqiptare tregojnë unitet për çështje të rëndësishme që i tangojnë shqiptarët edhe përkundër dallimeve të mëdha mes dy partive kryesore, BDI dhe PDSh...

Kështu ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në një intervistë të dhënë për “Epokën e re”. Sipas Ahmetit, në Maqedoni nuk ka nevojë për më shumë se dy parti politike shqiptare, sepse çdo subjekt tjetër politik vetëm do të përçante votën shqiptare, thotë Ahmeti. 
 
“Shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë se dy parti politike. Tek ne votohet mbi baza etnike dhe paraqitja e shumë partive në proceset zgjedhore bën ndarjen e votës së shqiptarëve dhe në një proces të tillë elektoral ne mund të humbim katër deri në gjashtë mandate në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë. Sa më shumë parti shqiptare që garojnë në zgjedhje parlamentare, aq më pak deputetë shqiptarë zgjidhen në Kuvend”- tha Ahmeti. 
 
Marrëveshja e 15 korrikut i nxori të gjithë fitimtarë, përfshirë këtu edhe shqiptarët. Edhe pse, sipas Ahmetit, gjërat nuk mund të ndahen gjithnjë vetëm në baza etnike, reformat sistemore, sundimi i ligjit dhe përafrimit me standardet evropiane eliminojnë mundësitë e proceseve me paragjykime etnike. 
 
“Gjërat nuk mund t’i ndajmë në baza etnike, sepse me demokratizimin dhe avancimin e çështjeve që kanë të bëjnë me integrimet, anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian do të përfitojnë edhe shqiptarët. Maqedonia nuk mund të ecë përpara duke i ndarë qëllimet në baza etnike”- theksoi Ahmeti.
 
Sa i përket përfaqësimit më të madh të shqiptarëve në institucionet e shtetit, Ahmeti dha këtë përgjigje:
 
“Çdo ditë e më tepër shqiptarët po avancojnë sa i përket përfaqësimit në struktura drejtuese dhe në dikastere të ndryshme të shtetit. Dhe ky avancim do të rritet në të ardhmen, ndërsa sa për krahasim në këtë mandat shqiptarët ushtrojnë mbi 30% të pushtetit ekzekutiv me 8 ministra, nga të cilët 2 janë zëvendëskryeministra”.
 
Lideri i integristëve thotë se respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucione, marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet me fqinjët, ku përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria, por edhe integrimi në NATO dhe BE janë pjesë e një marrëveshjeje mes liderëve politik, e cila duhet të respektohet dhe implementohet, pasi garantues të kësaj marrëveshje janë Brukseli dhe Uashingtoni. 
 
REXHEP QAMILI