Futboll

Tigres në finale të Kupës Libertadores

23.07.2015 12:11

Tigres është skuadra e dytë finaliste e Kupës Libertadores, me meksikanët që arritën të përmbysin disavantazhin 2-1 të ndeshjes së parë përballë brazilianëve të Internacional...

Skuadra e Amerikës Qëndrore kërkonte finalen e parë në histori dhe fillimi ishte mjaft i mbarë për të, teksa arriti të kalojë në epërsi që në minutën e 18-të, falë golit të ish sulmuesit të kombëtares franceze, Andre Pierre Gingnac.
 
Në minutën e 41-të, brazilianët I dhuruan dhe golin e dytë meksikanëve, me Geferson që gabimisht dërgoi topin në rrjetën e tij.
 
Në disavantazh 0-2, Internacional dy herë fitues I Kupës Libertadores pati mundësinë të shkurtonte rezultatin me Rafael Sobis, por sulmuesi gaboi nga pika e bardhë.
 
Tigres përfitoi nga ngërçi psikologjik i skuadrës mike dhe në minutën e 56-të shënoi dhe golin e tretë, duke bërë që në stadiumin e Monterrey të shpërthejë festa.
 
Golin e vetëm për Internacionalin e realizoi Lisandro Lopez në minutën e 89-të, por rezultati 3-1 kualifikoi Tigres për në finale, që tashmë do të gjejnë përballë River Platen argjentinase. 
 
Ndeshja e parë finale e edicionit të sivjem të Kupës Libertadores, në program do të jetë me 29 korrik dhe do të luhet në Meksikë, ndërsa sfida kthyese do të zhvillohet një javë më vonë në Argjentinë.