Maqedoni

Zjarret, gjoba për lëvizjen e personave në pyje

23.07.2015 15:21

Bashkë me temperaturat e larta rriten edhe gjasat për shkaktimin e zjarreve. Duke e pasur parasysh një rrezik të tillë...

Bashkë me temperaturat e larta rriten edhe gjasat për shkaktimin e zjarreve. Duke e pasur parasysh një rrezik të tillë, Shtabi për Mbrojtje dhe Shpëtim i Qytetit të Shkupit njofton se edhe këtë vit është i përgatitur për të gjitha sfidat dhe rreziqet e mundshme. Për t’u përballur me zjarret në vendet urbane dhe të hapura disponojnë me 65 automjete cisternë dhe automjete e pajisje të tjera për shuarjen e zjarreve eventuale.
 
Po ashtu potenciali njerëzor me të cilin disponon ky shtab është rreth 500 persona nga disa ndërmarrje publike komunale. Javën e kaluar Brigada për Mbrojtje Zjarrfikëse e Qytetit të Shkupit ka pasur 74 intervenime. 
 
Ndërkohë nga Ministria e Bujqësisë kanë njoftuar se prej dje ka filluar ndalesa për qarkullim pa leje nëpër pyje gjatë intervalit kohor prej 7.00 deri në orën 17.00, e cila do të zgjasë deri më 5 gusht.
 
Në pyje mund të lëvizin vetëm personat të cilët kanë leje adekuate nga Ndërmarrja për Menaxhim me Pyjet e Shtetit dhe nga Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë”, të cilët menaxhojnë me rajonet e caktuara. Në periudhën prej 17.00 deri në orën 7.00 lejohet lëvizja e të gjithë personave në pyje dhe vendet malore për pushim dhe rekreim në përgjegjësi personale për sigurinë e tyre dhe obligimin për të mos shkaktuar dëme në pyje.
 
“Kufizimi nuk vlen për tur të organizuar turistik, qëllimi i së cilës është që turistët të shohin bukuritë e natyrës”- thonë nga Ministria e Bujqësisë.
 
Për mosrespektimin e rregullave të kësaj ndalese, personat të cilët do të hasen duke lëvizur në pyje pa leje adekuate do të ndëshkohen me gjobë prej 1.500 deri më 2.000 euro.
 
Po ashtu nga Ministria e Bujqësisë informojnë se ndalohet djegia e barishteve dhe gjësendeve të tjera në tokë bujqësore për shkak të preventivës për mbrojtje nga zjarret në pyje. Për mosrespektim të rregullave të kësaj ndalese parashihet gjobë në vlerë prej 1.500 deri më 3.000 euro.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI