Botë
Greqi, parlamenti miratoi paketën e dytë të reformave
23.07.2015 12:32
Parlamenti grek me shumicë votash ka miratuar një sërë reformash të kërkuara nga liderët evropianë në këmbim të dhënies...

Parlamenti grek me shumicë votash ka miratuar një sërë reformash të kërkuara nga liderët evropianë në këmbim të dhënies së kredisë së tretë të miliarda eurove për të dalë nga kriza ekonomike.
Votimi, ku më shumë se 200 nga 300 ligjvënës votuan pro, pason debatin në parlamentin grek, që zgjati deri në orët e para të mëngjesit të 23 korrikut. Projektligji i miratuar përfshin reforma në drejtësinë civile, skemën e mbrojtjes së depozitave bankare si dhe masat për të mbështetur likuiditetin e bankave.
Kryeministri grek, Alexis Tsipras, fillimisht u përballë me një revoltë në mesin e ligjvënësve nga partia e tij e majtë, Syriza.
Por, tash ai është duke hypur lartë nëpër sondazhe, pasi javën e kaluar kishte pësuar rënie në to për shkak të votimit të paketës së parë të reformave, ku përfshiheshin reformat në pensione dhe në taksa.
Parlamenti grek edhe njëherë me lehtësi kaloi reformat, të cilat patën mbështetjen e partive opozitare pro-evropiane.
Reformat ishin parakushti i fundit para se Greqia të mund të fillojë negociatat me kreditorët mbi një paketë të tretë të shpëtimit, me vlerë prej rreth 85 miliardë euro.
