Maqedoni

Prokurori, fillon procesi gjyqësor për Kumanovën

23.07.2015 16:56

Nga e marta e javës së ardhshme prokuroria formalisht do të fillojë procesin gjyqësor kundër të arrestuarve në konfliktin e Kumanovës...

Këtë fakt e konfirmon avokati mbrojtës, Naser Raufi, sipas të cilit do të fillohet marrja e deklaratave nga të arrestuarit.
 
“Deklaratat do të fillojnë të merren nga e marta, ashtu u paralajmërua nga Prokuroria e Krimit të Organizuar se do fillojnë me deklarata të të arrestuarve në burgun e Shutkës. Unë mendoj se nga shtatori pritet edhe aktakuza, sepse tanimë filloi me deklaratat e të akuzuarve”- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Sipas tij, prokuroria deri tani nuk u ka afruar asnjë detal lidhur me përmbajtjen e aktakuzës me arsyetimin se pa i grumbulluar deklaratat e të arrestuarve një gjë e tillë nuk është e mundur.
 
“Asnjë lloj informate nuk kemi jo vetëm unë, por edhe avokatët tjerë. Kemi insistuar që nga ana e prokurorisë të na prezantohen detaje, por mbahet një top sekret i tërë lëndës, por është edhe e kuptueshme se është parakusht njëherë të jepen deklaratat e të akuzuarve, që mandej nga ana e avokatëve mbrojtës të shihen provat që posedon prokuroria”- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Ka ndryshuar edhe trajtimi i të arrestuarve të cilët trajtohen në mënyrë humane, thotë Raufi.
 
“Dje isha në burgun e Prilepit dhe Manastirit, dhe nesër mendoj të shkoj përsëri t’i vizitoj këta të arrestuar dhe nga ana e tyre kam informata se është gjendja e volitshme ashtu siç duhet, sipas ligjit, tretmani është normal”- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Në konfliktin e Kumanovës humbën jetën tetë policë dhe dhjetë pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. 30 prej grupit të armatosur u dorëzuan, ndërsa MPB në deklaratën e dhënë më 9 maj tha se grupi i organizuar kishte qëllim sulme terroriste ndaj institucioneve të Maqedonisë.
 
FLUTURA LATIFI