Maqedoni

Ministri Izairi në Luksemburg, takim joformal i ministrave evropianë të mjedisit

23.07.2015 17:06

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, gjatë pjesëmarrjes në takimin joformal të ministrave të mjedisit jetësor të BE-së në Luksemburg...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, gjatë pjesëmarrjes në takimin joformal të ministrave të mjedisit jetësor të BE-së në Luksemburg, në fjalimin e tij ndau përvojat e deritanishme të Maqedonisë lidhur me implementimin dhe financimin e projekteve nga sfera e ndryshimeve klimatike, duke i theksuar edhe aktivitetet që janë propozuar në dokumentet nacionale të vendit.
 
“Numri i përgjithshëm i projekteve të përfunduara, të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi e përmirësojnë rezistencën e vendit në luftën kundër ndryshimeve klimatike, është jashtëzakonisht i madh, Maqedonia i kushton kujdes të veçantë realizimit të një numri sa më të madh të projekteve ndërkufitare, pasi përvoja jonë flet se rezultate më të mira mund të arrihen vetëm me bashkëpunim të sinqertë midis të gjitha palëve të interesuara”- tha ministri Izairi. “Rezultatet e përcjelljes së implementimit dhe analizës së përfitimeve nga implementimi i projekteve, shfrytëzues i të cilave është pushteti lokal, treguan se duhet t’i kushtohet një kujdes më i madh efikasitetit energjetik, se është e domosdoshme rritja e shfrytëzimit  të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe se nevojitet krijimi i kushteve për mënyra alternative të transportit. Theks i veçantë duhet të vihet në parandalimin, zbutjen dhe adaptimin e efekteve nga ndryshimet klimatike dhe një sërë masash dhe aktivitetesh ku është identifikuar hapësirë për përmirësim të rezultateve nga implementimi i projekteve të realizuara. Kjo analizë sidomos ka të bëjë me objektet dhe instalimet që janë nën kontrollin e pushtetit qendror dhe lokal”- tha  Izairi.
 
Sa u përket  mundësive ekonomike për krijimin e vendeve të punës të lidhura me zhvillimin e gjelbër, ministri Izairi theksoi se në kushtet e Maqedonisë, në vitin 2030 mund të pritet hapja e  përafërsisht 6000 vendeve të gjelbra të punës, njëherësh nevojitet të bëhet vlerësimi i përfitimeve nga zbatimi i strategjive të aksioneve  klimatike dhe nga bashkëpunimi midis palëve relevante.
 
GYLTENE SINANI