Maqedoni
Ujë me bollëk, nuk ka restrikcione
23.07.2015 18:09
Se gjithçka ishte me prapavijë politike gjatë mungesës së ujit të pijshëm në dekadën e tretë të muajit të Ramazanit në lagjen Çerkez dhe zonat e larta të Kumanovës...

Se gjithçka ishte me prapavijë politike gjatë mungesës së ujit të pijshëm në dekadën e tretë të muajit të Ramazanit në lagjen Çerkez dhe zonat e larta të Kumanovës dëshmon fakti se tani ujë ka me bollëk dhe restrikcione të ujit nuk ka. Të dyja digat, ajo e Likovës dhe Gllazhnjës, ujë kanë me bollëk si për pije po ashtu edhe për ujitje.
Të përkujtojmë se lagja e Çerkezit dhe zonat e larta të Kumanovës mbi 10 ditë mbetën pa ujë, kurse për këtë dy ndërmarrjet simotra “Ujësjellësi” dhe “Fusha e Kumanovës dhe Likovës” akuzonin njëra-tjetrën se mungesa e ujit bëhet si skenar i lojërave politike.
Mirëpo pas alarmimit mediatik dhe protestave të zëshme të banorëve të Çerkezit, përnjëherë uji filloi të rrjedhë nëpër të gjitha çezmat.
Si duket ka ardhur koha që ndërmarrjet mos t’i shfrytëzojnë temperaturat e larta tropikale që për qëllime të ulëta politike e partiake të luajnë me shëndetin dhe ndjenjat e qytetarëve.
Të përkujtojmë se mbi 15 vite këto dy ndërmarrje, njëra e drejtuar nga kuadri i LSDM-së, e tjetra e VMRO-DPMNE-së, gjatë muajve të verës krijojnë kriza artificiale me ujin e pijshëm vetëm e vetëm që t’i arrijnë qëllimet e tyre politike ani pse pa kurrfarë faji viktimizojnë mbi 100 mijë qytetarë të Kumanovës.
NEXHAT AQIFI
