Maqedoni
Rebalanci i buxhetit, debat i ashpër në Komisionin për Financim dhe Buxhet
23.07.2015 18:12
Rebalanci i buxhetit u gjet sot para anëtarëve të Komisionit për Financim dhe Buxhet...

Ministri i Financave, Zoran Stavreski, tha se nuk do të ketë shkurtime të fondeve në sektorë të caktuar, pasi që të ardhurat buxhetore në gjashtë muajt e parë të vitit janë më të mëdha për 14% se parashikimet.
1 miliard e 115 milion denarë do të ndahen për projekte kapitale. Prioritet do të ketë projekti i gazifikimit Kleçovcë – Shtip në vlerë prej 370 milion denarë.
Gjithashtu, fonde do të ndahen edhe për projekte të ujësjellësit dhe kanalizimit në komunat më të varfra të vendit, për rikonstruim të shkollave dhe shtëpisë studentore “Goce Dellçev”.
Me ribalancin e buxhetit do të rriten ndihmat sociale për 10%, si dhe pensionet për 5% nga tetori.
“Pres që buxheti deri në fund të vitit të luaj rolin e vet. Në njërën anë të sigurojë një komponentë të fuqishme nëpërmjet investimeve kapitale dhe nga ana tjetër nëpërmjet buxhetit të mbrojmë të gjitha kategoritë sociale, përfituesit e ndihmave sociale, pensionistët dhe bujqit”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavreski.
Rebalanci i tillë i pushtetit nxiti reagime tek deputetët e PDSh-së të cilët kanë ngritur 222 amendamente.
Midis tjerash u kërkua ndërtim i zonës ekonomike në afërsi të qarkores së Shkupit, ndërtim të kanaleve për ujitje në Komunën e Sarajit, stacione të filtrimit, të cilat u refuzuan. Rebalanci për deputetët e PDSh-së është diskriminues për shqiptarët.
“Kërkojmë t’u jepet shqiptarëve hisja e vet në buxhet, të mos shkurtohet kjo e drejtë, sepse do të ripërsëris: nuk janë paratë tuaja, janë paratë e qytetarëve dhe një pjesë shumë e mirë e këtyre parave janë para të shqiptarëve, ju pëlqen kjo apo jo”- tha deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu.
“Ju keni mundësuar kushte mesjetare shqiptarëve. Por, nga ana tjetër i keni qeras shqiptarët me helmimin e Tetovës dhe Pollogut nga ana e “Jugohromit”, kombinat i cili vazhdon të punojë duke bërë shkelje flagrante të ligjit. Nuk bëhet asgjë”- u shpreh deputetja e PDSh-së, Meral Uzeiri Fazliu.
Nga BDI vërejtjet e PDSh-së i cilësuan si marketing politik, duke shtuar se investimet bëhen për të gjithë qytetarët njësoj.
“Maqedonia si shtet multietnik nuk mund t’i ndajë qytetarët në baza etnike dhe nëse ndërtohet një rrugë në Strugë, ndërtohet për shqiptarët dhe nuk ndërtohet për maqedonasit dhe gjithë të tjerët, romët, serbët, turqit dhe kështu me radhë. Mendoj se është e kundërta. Nëse ndërtohet një rrugë ndërtohet për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare kulturore dhe ashtu me radhë. Nëse ndërtohet një ujësjellës pikërisht do të furnizohen të gjithë qytetarët me ujë dhe nuk ndërtohet veç për njërin e veç për tjetrin”- tha deputeti i BDI-së, Ramiz Merko.
Edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së i dolën në mbrojtje projeksionit të ri të buxhetit.
Debati për rebalancin e buxhetit në Komisionin për Financim dhe Buxhet duhet të përfundojë për 10 ditë.
MERAL ISMAILI
