Botë

Çeki: Ish-ministri u dënua me 8 vjet e gjysmë burg për ryshfet

23.07.2015 19:55

Një gjykatë në Pragë të Çekisë sot e ka dënuar ish-ministrin e shëndetësisë, David Rath, me 8.5 vjet burg për marrje të ryshfetit...

Një gjykatë në Pragë të Çekisë sot e ka dënuar ish-ministrin e shëndetësisë, David Rath, me 8.5 vjet burg për marrje të ryshfetit, pasi policia e pat zënë atë duke e marrë një kuti të verës me para çeke, në vlerë më se 285 mijë dollarë amerikanë.
 
Gjykata vendosi që David Rath, po ashtu, ish- guvernator rajonal, është fajtor për marrjen e më se 625 mijë dollarëve ryshfet, për aranzhimin e çmimeve të rritura të kontratave për modernizimin e spitaleve dhe ndërtesave të tjera publike, me fondet e Bashkimit Evropian.
 
Zoti Rath tha se nuk është fajtor dhe se do të ankohet ndaj vendimit.
 
Ky është zyrtari më i lartë deri tash që dënohet në fushatën kundër marrjes së ryshfetit në Republikën e Çekisë.
 
Çështja e keqpërdorimeve të politikanëve të lartë ka ndikuar edhe në rënien e qeverisë së kryeministrit, Petr Necas, në vitin 2013.
 
Para se të arrestohej, ish-ministri dhe guvernatori rajonal, David Rath, ishte udhëheqës i lartë i Partisë Socialdemokrate të Çekisë, e cila tash e udhëheq qverinë e koalicionit të këtij vendi./evropaelire