Maqedoni

Vrasja e djeshme në Kumanovë, arrestohen dy të dyshuar

24.07.2015 12:19

Bajram Limani, i dyshuari për vrasjen e 45 vjeçarit, Xhemail Rexhepit, i njohur si Komandat “Shqiponja”, është dorëzuar mbrëmë në stacionin policor të Kumanovës...

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë njoftojnë se janë arrestuar dy persona, ndërsa disa të tjerë janë thirrur në bisedë informative, me qëllim të zbardhjes dhe dokumentimit të tërësishëm të rastit të djeshëm ku humbi jetën Xhemail Rexhepi dhe dy të tjerë morën lëndime të rënda.

Tek dy personat e arrestuar është gjetur edhe arma me të cilën pretendohet se është kryer vrasja.

Ne njoftimin e SPB-së-Kumanovë thuhet se dje në orën 15:30, në kafenenë "Shpija Jon", grindja verbale në mes të dy grupeve u rrit në një përleshje fizike, në të cilën në një moment është vepruar me armë zjarri, pas së cilës Xhemail Rexhepi, 45 vjeç, humbi jetën.

Siç informoi SPB-ja e Kumanovës, dy personat, SH. R. dhe G. D. janë lënduar dhe për shkak të karakterit të lëndimeve janë dërguar në Qendrën Urgjente të Shkupit.

Prokurori publik përgjegjës për rastin ka dhënë urdhër për obduksion dhe kryerjen e ekspertizës së armës, video-xhirimeve dhe gjurmëve të lëna në vendin e ngjarjes.

Nga prokuroria thonë se do të vazhdojnë të punojnë në zbardhjen e tërësishme të rastit.

SANIJE KASAMI