Botë
Turqia sulmon caqet e IS-it në Siri, paralajmërohet mur mbrojtës në kufi me Sirinë
24.07.2015 16:15
Turqia u është kundërpërgjigjur ashpër sulmeve terroriste të militantëve të “Shtetit Islamik” në territorin turk...

Mëngjesin e sotëm me aeroplan Ef-16 kanë kryer sulme ndaj pozicioneve të militantëve në territorin e Sirisë, me ç’rast njoftohet për vrasjen e të paktën 35 militantëve, si dhe u janë shkatërruar disa qendra trajnimi.
Në këtë operacion ajror janë goditur caqet në fshatin Havar, matanë kufirit, afër provincës turke Kallis.
Po ashtu është qëlluar edhe selia e militantëve të “Shtetit Islamik”. Krahas sulmeve ajrore, më se 500 ushtarë anti-terror të Turqisë, në Stamboll dhe qytete të tjera, i kanë bastisur mbi 100 lokacione të grupeve militante të “Shtetit Islamik” dhe të kurdëve, me ç’rast, siç kanë bërë të ditur autoritetet turke, janë arrestuar 251 persona.
“Operacioni është realizuar në 13 rajone. 251 persona janë arrestuar, ndërsa në rrjedhë janë hetimet. Qeveria turke është e gatshme të përballet me terrorizmin”- deklaroi kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu.
Operacioni ajror turk ndaj militantëve erdhi një ditë pasi Turqia u pajtua që të lejojë përdorimin e bazës ushtarake ajrore Inxhirlik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të lansuar sulme ajrore kundër grupit militant “Shteti Islamik”. Po ashtu, si masë preventive Qeveria turke do të ndërtojë një rrethojë disa kilometërshe në kufirin me Sirinë.
“Ndërtimi i murit do të ketë për qëllim pengimin e futjes së terroristëve në territorin e Turqisë. Ideja jonë është të ruajmë sigurinë në kufi”- tha një përfaqësuesi i Qeverisë.
Për këtë qëllim, sipas mediave turke, do të investohen 8 miliard dollarë.
Me këto masa synohet pengimi i sulmeve të militantëve të ISIS-it, siç ishte sulmi i djeshëm ndaj një karaulle, ku një oficer u vra dhe dy ushtarë u lënduan, apo sulmi në qytetin Suruç, ku humbën jetën 32 persona dhe shumë të tjerë mbetën të lënduar.
GYLTENE SINANI
