Ekonomi
Ekonomi, ulja e dënimeve për kompanitë vendore
24.07.2015 15:50
Ulja e dënimeve për kompanitë vendore, që u realizua me ligjin e miratuar mbrëmë në kuvend, ka për qëllim përmirësimin e ambientit të biznesit...

Kështu ka deklaruar sot ministri i Financave, Zoran Stavreski, sipas të cilit me këtë përmbushet një premtim i qeverisë ndaj ndërmarrjeve vendore.
Kjo është shumë me rëndësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, vlerëson ministri, sipas të cilit qëllimi i dënimeve nuk është të ndikojë ndaj punës së ndërmarrjeve, por vetëm ta paralajmërojnë atë i cili e ka shkelur ligjin, të korrigjohet dhe të vazhdojë më tutje me punë.
“Tek ndërmarrjet e vogla dënimet do të jenë më të ulëta, gjashtë deri në shtatë herë në krahasim me të tanishmet, ndërsa tek të mesmet dy deri në katër herë më të ulëta nga të tanishmet, që do të thotë se dënimi, nëse duhet të shqiptohet, nuk do të ndikojë në mënyrë të rëndësishme në punën e ndërmarrjeve”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Vendimi u mirëprit edhe nga Lidhja e Odave Ekonomike.
“Me pakon e ndryshimeve ligjore, posaçërisht të ndryshimeve të Ligjit për kundërvajtje që kaloi në kuvend, dënimet e mëdha me të cilat përballeshin kompanitë gjatë viteve të kaluara u ulën dhe atë në mënyrë të dukshme”- tha kryetarja në LOE, Daniella Arsova.
Por, opozita maqedonase e ka vlerësuar si të vonuar këtë vendim. Sipas LSDM-së, vendimet e këtilla janë të palogjikshme pasi janë ulur dënimet, por jo edhe politika tatimore.
Në vitit 213, derisa i promovonim këto masa, pushteti mbyllte firma dhe shqiptonte dënime me mijëra euro, apo ndryshonte ligje ku parashihej aplikimi i dënimeve me shuma marramendëse, prandaj kjo tani është e vonuar, vlerësojnë nga LSDM.
REJHANE BUSHI-METAJ
